Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura në qeverinë e re? – ONUP Magazine
fade
7433
post-template-default,single,single-post,postid-7433,single-format-standard,eltd-core-1.0,flow-ver-1.3,,eltd-smooth-page-transitions,ajax,eltd-blog-installed,page-template-blog-standard,eltd-header-standard,eltd-fixed-on-scroll,eltd-default-mobile-header,eltd-sticky-up-mobile-header,eltd-dropdown-default,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2.1,vc_responsive

Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura në qeverinë e re?

Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura në qeverinë e re?

Shkruan: Arianit Bytyçi

arianit bytyci....Në këtë kohë (para)fushate zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme nacionale, ashtu sikur edhe në të gjitha zgjedhjet e deritanishme nacionale, dëshmohet qartë se asnjëri nga protagonistët e zhvillimeve politike në vend, në kuadër të ofertës apo programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme, nuk kanë prezantuar asnjë vizion, asnjë program, dhe rrjedhimisht nuk kanë treguar as interesimin më të vogël për Planifikimin Hapësinor dhe për Arkitekturën. Është dëshpëruese që edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe 9 vjet pas shpalljes së pavarësisë, asnjë parti politike në Kosovë, nuk ka arritur të ndërtojë dhe të prezantojë para qytetarëve një program serioz qeverisës në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe atë të Arkitekturës. Kjo qasje skandaloze e injorimit dhe vendosjes në margjina tërësisht periferike të Planifikimit Hapësinor dhe Arkitekturës është shprehur në vazhdimësi. Në mënyrë të veçantë kjo është shpërfaqur me qasjen që partnerët e koalicioneve qeverisëse kanë pasur ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në 90 për qind të rasteve kjo ministri i është lënë në udhëheqje partive periferike politike dhe rrjedhimisht njerëzve jokompetentë dhe pa vullnet dhe dije për të ndërtuar themele të qëndrueshme dhe për të ndërmarrë reforma në fushën e Planifikimin Hapësinor dhe atë të Arkitekturës në Kosovë. Duke synuar rivendosjen e vëmendjes së publikut dhe të vendimmarrësve për rëndësinë që duhet ta ketë Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura në Programin e ardhshëm qeverisës, e vlerësoj të rëndësishme që të risjellë një përmbledhje të adresimeve të mia publike, që kam bërë që në korrik dhe në gusht të vitit të kaluar, e që mbeten aktuale edhe në këtë periudhë (para) fushate zgjedhore.

 
Reformat substanciale që duhet ndërmarrë  
 
Duke pasur parasysh se as në programin e qeverisë në detyrë, e as të qeverive të kaluara, Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura nuk janë trajtuar fare si pjesë përbërëse e prioriteteve të qeverisë, në kuadër të Programit Qeverisës për mandatin e ardhshëm, partitë politike kosovare në kuadër të ofertës së tyre qeverisëse do të duhej të përfshinin së paku tri reforma substanciale: 1. Plotësim-ndryshimin e dokumentit më të lartë strategjik zhvillimor kombëtar – Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 dhe përfshirjen meritore të Planifikimit Hapësinor dhe Arkitekturës në këtë dokument; 2. Hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Arkitekturës – Politikës së Arkitekturës 3. Reformën në legjislacion, licencimin e arkitektëve, planerëve hapësinor dhe inxhinierëve, hartimi dhe zbatimi i Kodit të Ndërtimit; Duke ndërmarrë këtë vendimmarrje, Qeveria e ardhshme e Kosovës do të dëshmonte vullnetin politik për të vënë në binarë të duhur Planifikimin Hapësinor dhe Arkitekturën, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kohezionit social dhe kulturor të Kosovës.
 
Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura, si pjesë e Strategjisë Kombëtare 
për Zhvillim  
 
Duke pasur parasysh se në dokumentin më të lartë strategjik të nivelit kombëtar, të paraparë me legjislacionin e Kosovës, siç është Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, në asnjë nga prioritetet strategjike nuk është përfshirë Planifikimi Hapësinor, vlerësoj se është momenti i fundit që në këtë strategji zhvillimore të aplikohet praktika e suksesshme ndërkombëtare e promovimit dhe afirmimit ndërkombëtar të vlerave kulturore, ekonomike, sociale, edukative, përmes arkitekturës së objekteve dhe investimeve publike, investime këto që nuk mungojnë në këtë dokument strategjik. Përmes këtij dokumenti, Arkitektura duhet të promovohet si mundësi për të tërhequr vizitorë, dhe investitorë ndërkombëtarë, si dhe për turizëm. Vlerat arkitektonike të shprehura përmes politikave të arkitekturës duhet të jenë pjesë e rëndësishme e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës. Shembuj të mirë të përfshirjes së Planifikimit Hapësinor dhe Arkitekturës në kuadër të strategjive kombëtare zhvillimore dhe politikave qeverisëse mund të merren në Holandë, në Danimarkë, në Norvegji dhe ne vende tjera të Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha këtu ia vlen të ripotencohet edhe vetë përkushtimi i Bashkimit Evropian për të njohur dhe avancuar edhe më tej rolin e Arkitekturës në funksion të zhvillimit, përmes hartimit të dokumentit të Konkluzioneve lidhur me arkitekturën: kontributi i kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm (2008/C 319/05). Në këtë dokument, duke promovuar një vëmendje të veçantë për kualitetin arkitektonik, duke inkurajuar krijime të kualitetit të lartë arkitektonik, si një stimulues ekonomik dhe një atraksion turistik për qytetet, Këshilli i BE-së fton shtetet anëtare të mundësojnë që arkitektura dhe karakteristikat e saj specifike, në mënyrë të veçantë aspekti i saj kulturor, të përfshihen dhe të luajnë një rol të integruar dhe inovativ në të gjitha politikat relevante, posaçërisht në politikat e hulumtimeve, ato të kohezionit ekonomik dhe social, në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në politikat e edukimit.
 
Një Strategji Kombëtare për Arkitekturën  
 
Nisur nga analiza e gjendjes reale të arkitekturës publike, nga legjislacioni aktual i planifikimit strategjik dhe nga mungesa e arkitekturës si prioritet në programet e deritanishme qeverisëse, shtrohet domosdoshmëria e hartimit të një strategjie zhvillimore ndërsektoriale për Arkitekturën në Kosovë, – Politikës së Arkitekturës së Kosovës, – strategji kjo që duhet të jetë e bazuar në dokumentin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës, që do të ishte dëshmi e shprehjes së vullnetit politik institucional. Sipas praktikës kroate të Politikës të Arkitekturës 2013-2020, përmes politikave arkitektonike është definuar udhërrëfyesi strategjik për arritjen dhe zbatimin e të drejtave themelore të njeriut lidhur me zhvillimin e jetës kualitative, bazuar në parimet në vazhdim: mjedisi kualitativ i ndërtuar është e drejtë bazike për çdo individ; mjedisi kualitativ i ndërtuar është një interes i përbashkët; dhe Shteti ka për obligim të realizojë të drejtën për zhvillimin e jetës në një mjedis kualitativ të ndërtuar. Përderisa, Agjenda e veprimeve për Arkitekturën dhe Dizajnin Hapësinor e Holandës 2013-2016 përcakton dy qëllimet kryesore për zhvillimin e politikës arkitektonike: 1) Ndihmën përmes së cilës arkitektura dhe planifikimi hapësinor kontribuojnë në mënyrë të shkëlqyer dhe efektive në zhvillimet hapësinore dhe kulturore, duke forcuar pozicionin ekonomik ndërkombëtar të vendit, duke fuqizuar kualitetet lokale dhe regjionale të vendit; dhe 2) Nismat dhe instrumentet që qeveria nacionale dëshiron t’i shfrytëzojë për të fuqizuar pozitën e sektorit të arkitekturës dhe dizajnit hapësinor, duke mundësuar që këta sektorë të qëndrojnë ekonomikisht vital, të rëndësishëm nga aspekti shoqëror dhe inovativ nga aspekti kulturor;
 
Në anën tjetër, sipas modelit norvegjez, Politika Qeveritare e Arkitekturës arkitektura përbën gjithë rrethinën (mjedisin) e krijuar nga njerëzimi. Përfshin objektet dhe infrastrukturën, hapësirat e jashtme dhe peizazhin. Kjo nënkupton që një numër substancial i sektorëve të autoriteteve publike do të jenë lojtarë të rëndësishëm në çështjen e promovimit të arkitekturës së mirë. Ndërsa, parimi kryesor i Politikës Arkitekturale të Danimarkës është “Arkitekturë për Njerëzit”, përderisa shtyllat kryesore në të cilat bazohet kjo strategji nacionale e arkitekturës janë: 1. Arkitektura takon njerëzit (fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit); 2. Arkitektura dhe Demokracia (komunat dhe pjesëmarrja e qytetarëve); 3. Arkitektura dhe Qëndrueshmëria (në aspektin mjedisor, social dhe kulturor); dhe 4. Kontributi i Arkitekturës (Kualiteti, inovacioni dhe potenciali ndërkombëtar). Bazuar në praktikën e suksesshme të hartimit të politikave arkitekturore të vendeve të Bashkimit Evropian, siç u potencua më lartë, Qeveria e Kosovës me hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arkitekturës realisht do të përmbushte kriteret dhe standardet e BE-së lidhur me Arkitekturën. Në këtë kuadër, fushat e fokusimit të Strategjisë Kombëtare të Arkitekturës, – Politikës së Arkitekturës së Kosovës do të mund të ishin: 1) Arkitektura duhet të jetë/shquhet me zgjidhje miqësore ekologjike dhe energjetike; 2) Qytetet dhe qendrat e popullsisë duhet të zhvillohen përmes arkitekturës së kualitetit të lartë; 3) Qeveria duhet të mbrojë mjedisin kulturor dhe trashëgiminë arkitektonike; 4) Arkitektura duhet të promovohet përmes përhapjes së dijes dhe kompetencës; 5) Qeveria duhet të jetë model udhëheqës (role model); 6) Arkitektura kosovare duhet të promovohet ndërkombëtarisht; Në disa praktika tjera rajonale, të cilat mund të aplikohen edhe në Kosovë, politikat e arkitekturës janë të orientuara në këto objektiva themelore: 1. Kulturën e ndërtimit, si parakusht për kualitetin e hapësirës së ndërtuar; 2. Kualitetin e mjedisit të ndërtuar, si bazë për jetë të mirë për secilin individ; dhe 3. Arkitektura e kualitetit të lartë, si një nxitje për zhvillimin dhe progresin kombëtar. Me qëllim të arritjes së këtyre 3 objektivave, ky model i politikës së arkitekturës identifikon 10 fusha të pandara dhe të ndërlidhura tematike: 1. Vetëdijësimin (ndërgjegjësimin) shoqëror; 2. Zhvillimin publik; 3. Trashëgiminë arkitektonike; 4. Zhvillimin dhe planifikimin hapësinor; 5. Ndërtimin dhe dizajnimin (projektimin) e hapësirës; 6. Banimin; 7. Konkurset e arkitekturës dhe dizajnit urban për zgjidhje të kualitetit më të mirë; 8. Edukimin (arsimimi); 9. Hapësirën dhe Arkitekturën, si gjeneratorë të zhvillimit ekonomik; dhe 10. Kornizën ligjore;
 
Reforma në legjislacion dhe ndërtimi i standardeve profesionale  
 
Duke marrë për bazë se në Ligjin e Ndërtimit, në Ligjin e Planifikimit Hapësinor, si dhe në legjislacionin dytësor, roli i arkitekturës dhe kualitetit arkitektonik është i nënvlerësuar, në kuadër të Programit të ardhshëm qeverisës, në harmoni me prioritetet që do të dilnin nga 2 strategjitë e elaboruara më lartë, është e rëndësishme të përfshihet ndërmarrja e reformave në legjislacion.
Duke risjellë shembullin e nenit 6 të Ligjit të Ndërtimit, ku përcaktohet përpilimi i Kodit unik të ndërtimit të Republikës së Kosovës, ku në pikën 2 të këtij neni tek qëllimet e kodit, përfshihet sanitaria, përderisa askund nuk është i përfshirë kualiteti arkitektonik, si një nga kriteret kryesore të projektimit, mendoj se është e tepërt të shkruhet më shumë për rolin që ia siguron ky ligj Arkitekturës.
 
Në krahasim me legjislacionin kosovar të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, në legjislacionin e Norvegjisë, përkatësisht në Aktin ligjor të Planifikimit dhe të Ndërtimit janë të përcaktuara udhëzimet për kualitetin arkitektonik, duke shfrytëzuar këtë terminologji: dizajni estetik i rrethinës, kualitetet vizuale, dizajni i mirë arkitektonik dhe praktika e mirë ndërtimit. 
Në anën tjetër, përveç reformave që duhet ndërmarrë në legjislacionin kosovar të këtyre fushave, po ashtu duhet hartuar dhe zbatuar edhe Standardet e projektimit arkitektonik të objekteve publike, si dhe Manuali-Rregullorja e tarifave për shërbime të planifikimit hapësinor, arkitekturës, projektimit, revidimit dhe mbikëqyrjes, në mënyrë që të krijohen mundësitë reale për të bërë arkitekturë në Kosovë.
Kjo rrjedhimisht do të duhej të ndikonte në vetëdijësimin e vendimmarrësve për rritjen e buxhetit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe të komunave të Kosovës për të zbatuar legjislacionin në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Arkitekturës. Në mënyrë të veçantë, rritja e buxhetit në fushën e Planifikimit Hapësinor do të ndikonte në hartimin me sukses të Hartave Zonale të Komunave të Kosovës, proces që do të përmbyllej me hartimin me sukses të Hartës Zonale të Kosovës.
Profesioni i arkitektit, i planifikuesit hapësinor, i inxhinierëve duhet të trajtohet me dinjitet, konform standardeve ndërkombëtare, e jo siç është trajtuar deri më tani në Kosovë – në mënyrë diletante. Në këtë drejtim, përshpejtimi i themelimit të Odës së Arkitektëve, Odës së Planifikuesve Hapësinorë dhe Odës së Inxhinierëve, bazuar në parimin e avancimit të vazhdueshëm profesional të anëtarëve të këtyre institucioneve që rregullojnë këto profesione, do të ishte një bazë e qëndrueshme për ndërmarrjen e reformave në fushën e Arkitekturës dhe të Planifikimit Hapësinor dhe në ndërtimin e një vizioni dhe strategjie zhvillimore për Arkitekturën në Kosovë.
Nëse vërtetë synojmë që Kosovën ta kemi shtëpinë tonë, ashtu siç edhe është motoja e Planit Hapësinor të Kosovës, atëherë është koha e fundit që vendimmarrësit politikë në Kosovë të fillojnë me njohjen dhe avancimin e rolit të Planifikimit Hapësinor dhe Arkitekturës në kuadër të prioriteteve qeverisëse të Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Është momenti i fundit për ta bërë këtë!
 
(Autori është arkitekt)