Si po e prezenton qeveria vetveten përmes arkitekturës së objekteve publike? – ONUP Magazine
fade
7143
post-template-default,single,single-post,postid-7143,single-format-standard,eltd-core-1.0,flow-ver-1.3,eltd-smooth-scroll,eltd-smooth-page-transitions,ajax,eltd-blog-installed,page-template-blog-standard,eltd-header-standard,eltd-fixed-on-scroll,eltd-default-mobile-header,eltd-sticky-up-mobile-header,eltd-dropdown-default

Si po e prezenton qeveria vetveten përmes arkitekturës së objekteve publike?

Shkruan:

Arianit Bytyçi

arianit bytyci....

Është thënë nga shumë studiues se arkitektura është treguesi më real i mënyrës dhe nivelit të funksionimit të një shoqërie dhe të një shteti, është dëshmia më e mirë e vlerave që përfaqëson ajo shoqëri. Në mënyrë të veçantë, niveli i emancipimit kulturor të një shoqërie gjithherë është prezantuar edhe përmes arkitekturës së objekteve publike. Në vitet e fundit në Kosovë janë projektuar, ndërtuar dhe rinovuar shumë objekte publike. Por, çështja është se sa është shfrytëzuar arkitektura nga institucionet publike të vendit për të prezantuar shërbimet e saj para qytetarëve apo kjo gjë nuk është menduar fare?

Institucionet publike të Kosovës kanë tentuar që përmes konkurseve të arkitekturës të ideojnë objekte publike për t’i përmbushur nevojat e tyre. Sidoqoftë, është dëshmuar se në të shumtën e rasteve për objekte publike janë përzgjedhur projekte pa vlera dhe kualitet autentik dhe inovativ arkitektonik, projekte këto përmes të cilave nuk është arritur të krijohet një identitet i mirëfilltë arkitektonik. Në këtë shkrim, do të përpiqem të analizoj praktikat kosovare të organizimit të konkurseve të arkitekturës për objekte publike, duke trajtuar edhe praktika të suksesshme ndërkombëtare. Në të njejtën kohë, duke ofruar zgjidhje se si të shfrytëzohen mundësitë që ofron arkitektura, do të prezantoj metodologjitë e dëshmuara të konkurseve ndërkombëtare të arkitekturës për të prodhuar projekte të suksesshme arkitektonike për objektet publike në vendin tonë.

 

A është trajtuar kualiteti arkitektonik dhe faktorët tjerë të veçantë gjatë projektimit të objekteve publike?

 

Bazuar në praktikën ndërkombëtare të konkurseve të arkitekturës, organizimi i këtyre konkurseve mbështetet në këto qëllime fundamentale: në qëllimin e edukimit (edukimin e studentëve dhe sfidimin e ‘dijes konvencionale’); qëllimin politik (rritjen e mbështetjes, afirmimin e projektit, udhëheqjen e politikës arkitekturore, bashkërendimin e interesave të fushave të ndryshme), në qëllimin kulturor (krijimin e një dialogu për dizajnin, duke kontribuar në dimensionet kulturore të mjedisit të ndërtuar, në zgjerimin e kufijve të dizajnit) dhe në qëllimin ekonomik (rritjen e konkurrencës, arritjen e depërtueshmërisë në kompetenca ose sigurimin e kualitetit përmes vlerësimit të jurisë).

Sipas Institutit Amerikan të Arkitektëve (AIA), përparësitë e metodologjisë së konkurseve të arkitekturës për organizuesit e tyre, ndërlidhen me gjenerimin e një game të gjërë të ideve të reja të qasjeve në projektim, me fuqizimin e kredibilitetit të organizatorit të konkursit të arkitekturës, me zbulimin e talentëve të rinj, të cilët nuk do të mund të zbuloheshin përmes një procesi tradicional të projektimit, me tërheqjen e vëmendjes së medias dhe të publikut të përgjithshëm lidhur me nevojat e adresuara, me zgjerimin e diskursit publik lidhur me projektimin arkitektonik, gjithashtu lidhur me projektin specifik arkitektonik.

Ndërsa, sipas Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë (RIBA) konkurset janë një model jashtëzakonisht i suksesshëm i prokurimit, që ndihmon në prioritetizimin e projektimit të mirë dhe sjelljen e kualitetit më të lartë të të menduarit për projektin e klientit.

Praktika kosovare e konkurseve të projektimit (ku çuditërisht përfshihet edhe kriteri i çmimit të ofertuar, që nuk është praktikë ndërkombëtare e konkurseve të projektimit) dhe e tenderëve për shëbime të projektimit (bazuar në kriterin e çmimit më të lirë të ofertuar), praktikë kjo që e kanë zbatuar institucionet e Kosovës, ka dëshmuar se në të shumtën e rasteve rezultati ka qenë ky: prodhim i objekteve të dobëta publike, posaçërisht për nga aspekti i kualitetit arkitektonik. Disa nga dëshmitë më flagrante që e mbështesin këtë konstatim janë: projekti i parealizuar i Teatrit të Operës dhe Baletit, projekti i objektit të Fakultetit të Edukimit, projekti i renovimit të objektit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, objektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, objektit qeveritar (ish-Rilindja), projekti i renovimit të fasadave të Fakultetit Filozofik, projekti i objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë, por edhe projektet uniforme të shkollave nëpër gjithë territorin e vendit, si dhe shumë projekte të objekteve tjera publike, projekte këto që kanë rezultuar me objekte pa koncept dhe pa identitet autentik arkitektonik.

Në këto dhe në rastet tjera, është dëshmuar se ka dominuar qasja teknike e projektimit, ku projekti i është besuar studiove që më shumë shquhen me ekspertizë inxhinierike të strukturave dhe të infrastrukturës teknike, sesa me ekspertizë të mirëfilltë të projektimit arkitektonik. “Inxhinierët tentojnë të preokupohen më shumë me aspektin fizik të gjërave dhe raportin mes tyre, përderisa Arktitektët janë më shumë të preokupuar drejtpërdrejtë me raportin njerëzor (human) me gjërat fizike” shkruan Matthew Frederucik në një libër të botuar nga universiteti amerikan Massachusetts Institute of Technology (MIT). Nga praktika e projektimit të objekteve publike në Kosovë deri më tani mund të vërehet fakti se ka dominuar qasja inxhinierike (fokusimi tek aspekti teknik dhe fizik i gjërave dhe raporti mes tyre), ndërsa është anashkaluar skajshmërisht trajtimi i raportit njerëzor me objektin, përkatësisht ka munguar trajtimi i kualitetit arkitektonik të objekteve, që shumë kritikë të mirënjohur të arkitekturës e definojnë brenda konceptit të kualitetit të funksionit dhe vlerës utilitare të objektit, kualitetit të bukurisë së objektit, kualitetit teknik dhe kualitetit ekonomik.

Së fundmi, autorë të ndryshëm evropianë, për objekte publike qeveritare specifikojnë edhe disa faktorë tjerë të veçantë dhe esencialë, që duhet të respektohen gjatë projektimit të këtyre objekteve, që përfshijnë trajtimin e këtyre çështjeve të rëndësishme:

Si e shfrytëzon qeveria arkitekturën për të prezantuar vetveten?; Si i shfrytëzon ajo objektet për të prezantuar shërbimet e saj para qytetarëve?; A duhet ky prezentim arkitektonik të jetë dominues, neutral ose i vetëdruajtur, kokëlartë, i rezervuar, perceptues ose miqësor, i inspiruar në vetëbesim ose i përkohshëm, kalimtar apo jetëshkurtër?; Çfarë domethënie dhe çfarë metafora do të lejohen që objekti të shpreh këto karakteristika të ndryshme?; Si do të ndërlidhet objekti me hapësirën publike?; A do të kontribuojë në determinimin, aranzhimin dhe karakterin e hapësirës publike?; A shpreh objekti publik një këndvështrim të caktuar të kulturës apo të shoqërisë?; A krijon objekti një prezentim se si shoqëria funksionon ose se si duhet të funksionojë?; A ka objekti kualitet të mjaftueshëm poetik ose a është mjaftueshëm inovativ për të shërbyer si një shembull i mirë?

Këto janë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme që do të duhej të përfshiheshin brenda detyrave projektuese, përkatësisht të programeve të konkurseve të arkitekturës edhe në vendin tonë. Jam i bindur se po të respektoheshin këto parime të projektimit arkitektonik, që do të ishin një orientim strategjik i organizatorit të konkursit për të inkurajimin e projekte kreative dhe të konceptuara mirë, rezultati do të ishte ky: prodhim i objekteve të suksesshme publike.

Në kuadër të praktikave të mira ndërkombëtare të konkurseve të arkitekturës për objekte publike është me interes të përmendet rasti i konkursit ndërkombëtar për për kompleksin e ri të ndërtesave qeveritare në Budapest, i organizuar në vitin 2007 nga Qeveria e Hungarisë. Në saje të trajtimit të aspektit ekologjik në projektin e ekipit hungarez dhe japonez, të udhëhequr nga Péter Janesch and Kengo Kuma, në një konkurrencë prej 37 studiove prestigjioze ndërkombëtare dhe vendore të arkitekturës, juria e vlerësimit që përbëhej nga arkitektë të mirënjohur botërorë, të kalibrit të Daniel Libeskind, nga Hans Stimman (ish-arkitekt i Qytetit të Berlinit) dhe nga Josep A.Acebillo Marín (arkitekti aktual i Qytetit të Barcelonës) kishte vendosur në mënyrë unanime në favour të projektit “të gjelbër” hungarez-japonez. Fasada e dizajnuar në frymën e parkut të gjelbër të tipit të fasadës Jean Nouvel të muzeut në Quai Branly, projektimi i kulmeve të gjelbërta, pastaj aplikimi i paneleve solare dhe i energjisë gjeotermale, si dhe një dyzinë e oborreve të brendshme (36 oborre), të inspiruara nga strukturat urbane të shekullit 19 të distriktit Terézváros, do të sigurojnë vende pune me dritë natyrore në këtë kompleks qeveritar. E gjithë kjo qasje sipas inxhinierëve do të përkthehet në kursime të mëdha të shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe në një kompleks objektesh të qëndrueshëm. Pra, ky është rezultati i një konkursi ndërkombëtar të organizuar mirë.

Në anën tjetër, në Kosovë qasja e projektimit të objekteve publike qeveritare është krejtësisht e ndryshme. Qeveria e Kosovës për ridestinimin e ish-objektit të pallatit të medias “Rilindja” në objekt publik qeveritar, duke e shikuar këtë proces të ridestinimit të objektit vetëm si çështje thellësisht teknike e jo konceptuale arkitektonike, përzgjedh një projekt i cili nuk ka asgjë inovative, autentike, e as “të gjelbër” e të qëndrueshme për nga aspekti i kualitetit arkitektonik. Madje nuk e ruan as identitetin arkitektonik modernist të ish-pallatit të “Rilindjes”, por e mvesh atë me petkun e një fasade të zbehtë të “alucobondizuar”, të projektuar si të ishte fasadë e ndonjë objekti bankar apo komercial. Në këtë rast vie në pah mungesa e ofrimit të mundësisë për zhvillimin e konkurrencës së mirëfilltë të ideve në projektimin arkitektonik të objekteve publike në Kosovë, që do të mund të ndodhte me organizimin e një konkursi të mirëfilltë arkitektonik, që do të prodhonte objekte kualitative, inovative, që do të krijonin një identitet autentik dhe bashkëkohor arkitektonik. Kjo qasje e pa menduar mirë e qeverisë në trajtimin e projektimit të objekteve qeveritare ka sjellur deri tek ky rezultat: janë projektuar dhe ndërtuar objekte publike shtetërore pa identitet dhe koncept të vërtetë arkitektonik, që nuk paraqesin ndonjë reprezentim dinjitoz të qeverisë dhe kulturës institucionale të një shteti demokratik. Pra, qartëisht është e dukshme që qeveria dhe institucionet tjera publike të Kosovës nuk e kanë shfrytëzuar fare mundësinë që jep arkitektura për prezantimin e vlerave institucionale dhe shoqërore të një vendi që aspiron zhvillimin dhe integrimet evropiane dhe euroatlantike.

Përderisa për një projekt tjetër të rëndësisë së veçantë, siç është hapësira publike e sheshit të pavarësisë, Komuna e Prishtinës nuk kishte organizuar konkurs ndërkombëtar të arkitekturës, por një konkurs të dobët vendor, ku në tentimin e tretë, pa asnjë konkurrencë (me vetëm një projekt pjesëmarrës në konkursin e projektimit), kishte përzgjedhur projektin e një studioje vendore për sheshin kryesor të Prishtinës, sheshin e pavarësisë, pikërisht ky institucion publik vetëm disa vite më vonë bashkë me një kompani vendore ndërtimi organizoi një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës për ndërtimin e një kompleksi të madh shumëbanesor në Prishtinë, konkurs që ka rezultuar me projektin fitues të studios së arkitektit Daniel Libeskind. Megjithëse duhet vlerësuar si një iniciativë e mirë, mendoj se moskrijimi nga organizatorët e konkursit i mundësisë që edhe studio vendore të arkitekturës të marrin pjesë si të pavarura në këtë konkurs, është një veprim jo i menduar mirë, që pamundëson inkurajimin e zhvillimit të mirëfilltë të studiove vendore të arkitekturës, një gjë që do t’ia mundësonte futja në konkurrencë të fortë me projekte e studiove ndërkombëtare të arkitekturës.

1

Praktika kosovare dhe ajo ndërkombëtare e organizimit të konkurseve të arkitekturës për objekte publike

  Duke analizuar zanafillën e metodologjisë dhe praktikës së organizimit të konkurseve të arkitekturës në Kosovë, mund të konstatohet se mangësitë shprehen që në fillim të procesit. Shumica dërmuese e detyrave projektuese, përkatësisht të programeve të këtyre konkurseve të arkitekturës janë tejet të dobëta, të pakompletuara me informacione të domosdoshme për kompanitë projektuese të interesuara për të marrë pjesë në këto konkurse. Mungon prezentimi i historikut të çështjes, hartat orientuese, fotografitë e lokacionit, nuk prezentohen kufizimet buxhetore për ndërtim dhe të dhënat tjera të domosdoshme. Madje shpeshherë mungon edhe prezantimi i kushteve të ndërtimit, që janë kritere të përcaktuara përmes planeve rregulluese nga drejtoritë komunale të urbanizmit,

 

(Mos) prezentimi i objektivave dhe parimeve udhëheqëse të konceptit arkitektonik

 

Lidhur me programin për hartimin e projektit arkitektonik, shumë vite më parë, Jerzy Soltan, një prej kolegëve të arkitektit botëror, Le Corbusier, më vonë ligjërues në Shkollën e Dizajnit të Harvardit, citon frazën e famshme të arkitektin e madh “për të projektuar mirë ju nevojitet talenti, ndërsa për të hartuar një program të mirë, ju nevojitet gjeniu”. Modeli i hartimit të programeve të detyrave projektuese në Kosovë nuk është aspak gjenial. Përkundrazi. Mbi të gjitha, aty mungon përcaktimi i objektivave, qëllimeve dhe parimeve të mirëfillta udhëheqëse të konceptit arkitektonik të projektimit. Nga përvoja personale dhe e disa kolegëve të mi, mund të them se në të shumtën e rasteve kur kemi hartuar projekte ideore të bazuara në koncepte, ide dhe qëllime të mirëfillta arkitektonike, kjo gjë nuk është vlerësuar fare nga juritë e vlerësimit të konkurseve të arkitekturës.

Sipas praktikave ndërkombëtare të konkurseve të arkitekturës, programi duhet të frymëzojë imagjinatën e konkurruesve potencialë përmes prezantimit të qartë të objektivave të konkursit, duke dhënë përgjigje në këto pyetje: Çfarë karakteri duhet të shfaqë projekti? Çka duhet të thotë ai për komunitetin? Çfarë funksione të mëdha organizative dhe funksionale duhet të përmbushë? Çka pritet nga struktura e objektit gjatë jetëgjatësisë? Si do t’i shërbejë pronarit, shfrytëzuesve dhe komunitetit? Çfarë lloj zgjerimi duhet të akomodohet, nëse ka nevojë në të ardhmen? A ekziston ndonjë sfidë e veçantë projektuese së cilës objekti duhet t’i përgjigjet? Çfarë kërkesa janë bërë në lidhje me shfrytëzimin e energjisë, qarkullimin, marrëdhëniet publike-private, etj.? Me një fjalë, për çka shërben objekti? Si do t’i formësojë jetërat e njerëzve që do të jetojnë apo punojnë në të?

Në kuadër të konkurseve ndërkombëtare të arkitekturës, të organizuara në vende të ndryshme të botës, janë të përcaktuara qartë parimet dhe objektivat arkitektonike. Për shembull, objektiv i konkursit ndërkombëtar për ndërtimin e Muzeut të arteve të bukura në Quebec të Kandasë, i organizuar në vitin 2009 ishte lindja e një projekti i akceptueshëm (flagship project), prezencë e fuqishme arkitektonike në mjedisin urban që është moderne dhe inovative, origjinale (e vërtetë) dhe idenfitikuese (distincitive), me fjalë të shkurtra: një simbol i ri i identitetit të Quebec-ut në arenën ndërkombëtare. Përderisa, në programin e detyrës projektuese të të konkursit të katërt ndërkombëtar për Ndërtesën e re të Muzeut të Akropolit në Athinë, të organizuar në vitin 2000, parimi kryesor i përcaktuar ishte i fokusuar në pranueshmërinë (përshtatjen) me lokacionin, simbolikën globale të skulpturave të Partenonit dhe në idealin bashkëkohor të Athinës.

Në konkursin për Qendrën Presidenciale Obama në Çikago, të organizuar së fundmi, si parime udhëheqëse janë vendosur: parimet bërthamë, programi dhe konteksti, brenda të cilave janë ndërthurur edhe nënparime tjera specifike, ku mes tjerash përfshihen edhe kërkesat që: projekti të jetë autentik (i vërtetë), inspirues, dhe inovativ, i bazuar në vizionin e dizajnit të unifikuar (të shprehë në mënyrë konsistente parimet e dizajnit, misionin dhe vizionin, të jetë në harmoni në qëllimet e programit, të komunikojë një mesazh të qartë dhe koherent, të jetë i bazuar në integrimin e lokacionit me dizajnin e objektit), të mbështetet në parimin e fleksibilitetit dhe të menduarit për të ardhmen, si dhe të jetë mikpritës dhe transparent.

Pas më shumë se dy vjetësh nga inicimi i procesit, Fondacioni Obama në fund të qershorit të këtij viti ka njoftuar se është përzgjedhur ekipi arkitektonik Tod Williams Billie Tsien Architects | Partners (TWBTA) dhe Interactive Design Architects (IDEA) për të dizajnuar Qendrën Presidenciale Obama në Çikago. Qendra do të përfshijë bibliotekën që do të mbajë arkivin e presidentit, një muze të fokusuar në presidencën Obama dhe çështje të kohës sonë, si dhe do të përmbajë hapësira për programe dhe iniciativa që avancojnë misionin publik të fondacionit.

Duke tërhequr një paralele të procesit (më shumë se dy vjeçar) të përzgjedhjes së ekipit arkitektonik për projektimin e Qendrës Presidenciale Obama dhe krahasimit me praktikën e përzgjedhjes së projekteve për objekte publike në Kosovë (që zakonisht nuk zgjat më shumë se 3 muaj) vihet në pah serioziteti me të cilin i qasjen institucionet amerikane projektimit arkitektonik të objekteve publike dhe në të njëjtën kohë shfaqet dukshëm mosserioziteti i institucioneve të Kosovës në këtë aspekt.

 

(Mos) përcaktimi dhe (mos) vlerësimi kredibil i kritereve të konkurseve të arkitekturës nga juritë profesionale

 

Duke mos pasur objektiva dhe qëllime arkitektonike të përcaktuara në programin e detyrës projektuese, në shumicën e konkurseve kosovare të arkitekturës kriteret e vlerësimit zakonisht janë përafërsisht të njëjta për të gjitha konkurset e projektimit, gjë që është një non-sens i madh. Për shembull, 3 nga kriteret e vlerësimit të konkursit për ndërtesën e Laboratorëve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë tërësisht të njëjta me kriteret e konkursit për ndërtesën e Pallatit Olimpik të Kosovës, edhepse këto janë dy konkurse për objekte të karaktereve skajshmërisht të ndryshme.

Sipas praktikës amerikane të konkurseve të arkitekturës, kriteret e vlerësimit dallojnë shumë nga një konkurs në tjetrin. Në një konkurs për një memorial, aspekti simbolik dhe ai i bukurisë (estetikës) mund të jenë kulmi i kritereve të vlerësimit, përderisa në një konkurs për një objekt të dedikuar për hulumtime të shkencave të natyrës, shfrytëzimi funksional i hapësirës mund të vlerësohet të jetë i rëndësisë së veçantë.

Në anën tjetër, është i papranueshëm nënvlerësimi i nënkriterit të arkitekturës së objektit, ashtu siç ka ndodhur tek konkursi për Pallatin Olimpik të Kosovës, ku ky nënkriter i vlerësimit në kuadër të vlerësimit të kriterit teknik nga 100 % peshon vetëm 5 %, përderisa te konkursi i Palestrës Sportive të Samadrazhës së Vushtrrisë nënkriteri i arkitekturës peshon 15 % ! Po ashtu, për të treguar se a merret më seriozisht ideja arkitektonik e një projekti konkurrues gjatë procesit të vlerësimit, apo detajet teknike të përpjesës së dorëzimit të projektit ideor, do ta jap një shembull personal: për shkak të konkurrimit me projektin ideor për Palestrën e Vitisë, projekt i dorëzuar në përpjesën standarde të projekteve ideore 1:200, e jo 1:100, autoriteti kontraktues gjatë procesit të rivlerësimit e eliminon nga gara një projekt kreativ arkitektonik, projekt ky me identitet bashkëkohor dhe autentik arkitektonik, i cili e integron po ashtu si pjesë të jashtme të fasadës së objektit edhe hapësirën publike të ulëseve të jashtme si dhe gjelbërimin dhe e shpërblen si fitues të konkursit një projekt shumëfish më të dobët!

            Ndërsa, sa i përket kritereve, në kuadër të Detyrës Projektuese të Konkursit Ndërkombëtar për Xhaminë Qendrore në Prishtinë, janë paraparë kritere më gjithpërfshirëse, si kriteri i kontekstit urban, kriteri i projektimit arkitektonik, kriteri i funksionit, ai ekologjik dhe kriteri teknik. Por, në asnjë formë organizatorët e këtij konkursi (as pas kërkesës për qasje në dokumente publike) nuk kanë dokumentuar nëse janë respektuar këto kritere nga projekti fitues i këtij konkursi. Nga ajo që është prezantuar në media, është vështirë të thuhet nëse janë respektuar këto kritere, për arsye se projekti i prezantuar si fitues i këtij konkursi ndërkombëtar nuk ngërthen në vete ndonjë vlerë bashkëkohore dhe autentike arkitektonike, por është kopjim i trendit të xhamive osmane të shekujve të kaluar (xhami të tipit të stilit osman nuk ndërtohen sot as në Turqi, por ndërtohen xhami bashkëkohore – shembull më i mirë që e dokumenton këtë konstatim është projekti i xhamisë bashkëkohore ?akirin, xhamia e parë e dizajnuar nga një femër në Turqi). Pra, projekti fitues për Xhaminë Qendrore në Prishtinë nuk është një projekt i frymës së xhamive të kohës së sotme të cilën po e jetojmë, për dallim prej projektit fitues të konkursit ndërkombëtar të Xhamisë së Re dhe Muzeut të Tolerancës, të organizuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2011. Në rastin e konkursit të Tiranës, projekti fitues, një projekt arkitektonik bashkëkohor, i hartuar nga studio daneze e arkitekturës BIG (Bjarke Ingels Group) respekton parimet udhëheqëse të detyrës projektuese, ku potenohet saktë që sfidë e projektimit e këtij konkursi është që të sigurohet që Tirana do të ketë një kompleks bashkëkohor të religjionit dhe të kulturës në qëndër, përmes projektimit të një pjese bashkëkohore të arkitekturës, që do të reflektojë gjithë dijen dhe karakteristikat tradicionale të projektimit të xhamive. Por, fatkeqësisht ky projekti i vlefshëm nuk është implementuar fare në Tiranë pasi më vonë është ndryshuar lokacioni për ndërtimin e xhamisë, si dhe me procedura të reja është përzgjedhur një projekt krejtësisht tjetër për këtë xhami të Tiranës, një projekt shumë më i dobët sesa ai i BIG-ut, i ngjashëm me projektin mediokër të Xhamisë Qendrore të Prishtinës, po ashtu kopjim i dobët i xhamive osmane.

Në anën tjetër, praktika e organizimit të konkurseve ndërkombëtare në Kanada, na dëshmon se në këto konkurse janë aplikuar kritere të mirëfillta dhe gjithpërfshirëse, që janë respektuar gjatë vlerësimit që i kanë bërë juritë kredibile projekteve pjesëmarrëse në këto konkurse. Në konkursin për zgjerimin e Bibliotekës Saul Belloë, të shpallur nga Qyteti i Montrealit në vitin 2011, janë vendosur 7 kritere që janë zbatuar gjatë vlerësimit të projekteve nga juria: 1.Zhvillimi potencial i konceptit përmes Procesit të Integruar të Dizajnit (Integrated Design Process), që bazohet në mbështetjen e dialogut ndërmjet të gjithë aksionerëve në proces, që sjell këndvështrime të ndryshme lidhur me çështjet komplekse në dizajnimin e projektit, duke eliminuar vendimmarrjen joreversibile të bazuar në informacione jo të plota; 2. Fleksibiliteti; 3. Integrimi me objektin ekzistues dhe funksionaliteti; 4. Kualiteti i Hapësirës (drita natyrore dhe komforti); 5. Strategjitë për zhvillimin e qëndrueshëm; 6. Buxheti dhe 7.Identiteti dhe potenciali për ripërtritjen urbane.

Në praktikën e Insitutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë lidhur me konkurset e arkitekturës po ashtu vlerësohet e rëndësishme që nga organizatori i konkursit të jepen informacione kthyese tek konkurruesit e pasuksesshëm, duke iu siguruar atyre mundësinë për të mësuar lidhur me meritat relative të projekteve të tyre konkurruese.

 

(Mos) përfshirja në proces e këshilltarit profesional dhe (mos) publikimi paraprak i emrave të anëtarëve të jurisë profesionale

 

Një çështje tjetër që është me rëndësi të ngritet lidhur me organizimin e konkurseve të arkitekturës në Kosovë është edhe mos përfshirja në proces edhe e këshilltarit profesional (proffesional adviser). Sipas udhëzuesit të AIA-s një këshilltar profesional i aftë dhe i ndërgjegjshëm është një kriter esencial për një konkurs të suksesshëm. Si një konsulent i organizatorit të konkursit, këshilltari profesional është një person i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë është përgjegjës për planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e konkursit të projektimit. Përgjegjësitë e këshilltarit janë të përcaktuar brenda katër fushave kryesore: programit, organizimit dhe strukturës, mbiqkyrjes (asistimit në përzgjedhjen e një jurie të kualifikuar në nivelit më të lartë, e aftë për të ushtruar gjykim të shëndoshë dhe të arsyeshëm) dhe mbikëqyrjes së përgjithshme (udhëheqjes së konkursit duke garantuar se të gjithë konkurruesit do të kenë trajtim fer dhe të barabartë).

Praktika e përfshirjes së këshilltarit profesional në kuadër të procesit të konkursit të arkitekturës është një praktikë e njohur ndërkombëtare, që është zbatuar edhe në rastin e konkursit të Xhamisë dhe Muzeut të Tolerancës në Tiranë, ku në Detyrën Projektuese janë prezantuar edhe publikisht emrat e këshilltarëve profesional, me qëllim të ngritjes së kredibilitetit të konkursit, gjë që nuk është zbatuar në asnjë nga konkurset e arkitekturës në Kosovë, madje as në konkursin ndërkombëtar për Xhaminë Qendrore në Prishtinë.

Në të njejtën kohë, duhet të potencohet edhe fakti se në të gjitha konkurset e arkitekturës që kanë organizuar institucionet publike në Kosovë asnjëherë nuk është bërë publike përbërja e jurive vlerësuese të projekteve pjesëmarrëse në këto konkurse. Kjo është një praktikë e keqe, që ngrit dilema të mëdha për kredibilitetin e këtyre jurive vlerësuese.

3

Një shembull konkret i konkursit të dështuar të arkitekturës të objekteve publike në Kosovë

 

Në detyrën projektuese të konkursit të projektimit për ndërtesën e Laboratorëve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të organizuar në pjesën e parë të vitit 2015 është përcaktuar vetëm një objektiv apo qëllim i përgjithshëm që është: “Arkitektura e objektit duhet të ketë karakter spitalor, dhe në harmoni  arkitekturore me objektet dhe përmbajtjet ne lokacion, me mundësi maksimale per harmonizim me objekte rrethanore (parashikim)”.

Në këtë detyrë projektuese janë përcaktuar hapësirat e objektit, të cilat pa ndonjë analizë serioze profesionale janë vendosur nëpër etazhe (për shembull amfiteatri është paraparë në etazhin e fundit, që është zgjidhje jofunksionale, duke pasur parasysh karakterin e objektit dhe ndërhyrjen që bëhet në funksionalitetin e objektit, nëse do të ndërthurej komunikimi i personelit mjekësor dhe pacientëve me pjesëmarrësit e ndonjë simpoziumi shkencor shëndetësor, që jo domosdoshmërisht do të duhej të ishin vetëm pjesëtarë të stafit të IKSHP-në).

Po ashtu, në detyrën projektuese mungojnë informacionet bazike për lokacionin e objektit (vetëm pas kërkesës së njërës prej studiove projektuese, është dërguar një dokument me një ortofoto jokualitative në programin Word, ku nuk definohen saktë kufinjtë e parcelës). Mungojnë edhe informacionet për kushtet e ndërtimit të përcaktuara nga autoritetet përgjegjëse, mungon historiku i funksionimit të IKSHP-së, fotografitë e lokacionit, kufizimet në buxhet, si dhe informacione tjera të rëndësishme për projektuesit.

 

Shpallet fitues i konkursit një projekt që nuk parasheh as ashensor dhe as dalje evakuuese për hapësirën e laboratorit të sigurisë më të lartë – Laboratorin BSL3

 

Përveç kësaj qasje joprofesionale të sponsorizuesit që në nisje të këtij konkursi të projektimit, ky autoritet kontraktues gjatë procesit të vlerësimit, dy herë radhazi bën shkelje ligjore dhe profesionale, duke e shpallur dy herë fitues projektin e njejtë. Gjatë hulumtimit tim, e kam dokumentuar që projekt në fjalë nuk e respekton parimin bazë të detyrës projektuese – Arkitekturën e objektit, që sipas po kësaj detyre projektuese duhet të jetë në harmoni arkitekturore me objektet dhe përmbajtjet në lokacion. I njëjti projekt nuk respekton as parimet bazike të projektimit, që kanë të bëjnë me qasjen e personave me aftësi të veçanta (projekti nuk parasheh ashensor për në hapësirën nëntokësore 2 katëshe të laboratorit të nivelit më të lartë të sigurisë – laboratorit BSL3). Përveç këtyre dy shkeljeve flagrante profesionale dhe ligjore, në projekt janë evidentuar edhe shkelje të Ligjit për Mbrojtje ndaj Zjarrit dhe legjislacionit dytësor të kësaj fushe, që argumentohet me mos projektimin e daljeve evakuese dhe mungesën e qasjes në shkallët evakuese nga hapësira nëntokësore e Laboratorit BSL3. Mos të harrohet në këtë drejtim, edhe fakti tjetër që projekti fitues kishte paraparë hyrjen në garazhin e objektit nga e njëjta rrugë që shërben për hyrjen kryesore dhe për hyrjen në objektin ekzistues të IKSHP-së (projekti ndërthur 3 qasje, që është në shpërputhje me parimet projektuese të komunikimit në hapësirat e objekteve publike dhe me parimet e sigurisë).

Megjithë këto shkelje skandaloze, dy juri arkitektësh, njëra me përmbërje edhe të një pjesëtareje të personelit shëndetësor të IKSHP-së, ndërsa juria tjetër në përbërje edhe të një profesori universitar të makinerisë, e shpall fitues projektin që ka bërë këto shkelje flagrante. Dhe, ja çfarë shkruan njëri nga anëtarët e jurisë së parë (arkitekt) për projektin që ka bërë shkeljet e përmendura më lartë: “Çasja në laborator janë sipas ISO Standardit, funksioni i komunikimit relativisht pozitiv. Çasja në bodrum, garazh relativisht i studjuar dhe funksional” si dhe “Zgjidhja urbane e analizuar dhe funksionale”. Përveç gabimeve themelore gjuhësore, që ka bër ky “vlerësues”, mund të imagjinoni se sa mund të jenë të qëndrueshme këto konstatime të tij, nëse bazoheni në qasjen e lartpërmendur të projektimit, që ka aplikuar ky projekt.

Ndërsa, një koleg tjetër i tij, po ashtu arkitekt, në vlerësimin e tij favorizues për projektin fitues, madje shkruan edhe të pavërteta, duke theksuar se: “Bodrumi është zgjidhur në një etazh me çka zvogëlon koston e investimeve. Përmbajtja është në përputhje me normat dhe kodet e ndërtimit”. Gjatë qasjes në projektin fitues (që garantohet me Ligjin për Qasje në dokumente publike) e kam parë se nuk është e vërtetë që bodrumi është zgjidhur në një etazh, por është zgjidhur në dy etazhe, ashtu siç parashihet në detyrën projektuese. Edhe po të projektohej bodrumi në një etazh, kjo nuk do të duhej të paraqiste ndonjë argument për poentim maksimal të projektit (përkundrazi), për arsye se me këtë rast nuk do të respektohej detyra projektuese.

 

Jepet vlerësimi “Projekti në tërësi i plotëson kërkesat sipas Detyrës Projektuese” – për një projekt që nuk respekton konceptin arkitektonik të përcaktuar me detyrën projektuese

 

Në mënyrë joprofesionale edhe anëtarët e jurisë së dytë gjatë vlerësimit e favorizojnë projektin në fjalë, duke e arsyetuar poentimin e tyre maksimal për këtë projekt në këtë mënyrë: “Zgjidhja funksionale – grupimi i hapësirave në përputhshmëri me kërkesat sipas Detyrës Projektuese” vlerësim ky që çuditërisht përsëritet edhe në vlerësimin e nënkriterit të dytë për të njëjtin projekt “Projekti në tërësi i plotëson kërkesat sipas Detyrës Projektuese / grupimi i hapësirave / ndarja e hapësirave për arsye të sigurisë / komunikimi i pastër”.

Është e paimagjinueshme se si për një projekt që nuk respekton konceptin arkitektonik të përcaktuar me detyrën projektuese, për një projekt që nuk parasheh ashensor për qasje në hapësirën e laboratorit të sigurisë më të lartë BSL3, për një projekt që nuk parasheh dalje evakuuese nga hapësira e këtij laboratori të sigurisë më të lartë, për një projekt që ka lënë 2 ashensorë për qasje në garazh, ndërsa asnjë për laboratorin BSL3, për një projekt ku shkallët evakuuese e ndërpresin komunikimin e korridoreve të laboratorit; dhe pikërisht për këtë projekt nga juria “profesionale” thuhet se “Projekti në tërësi i plotëson kërkesat sipas Detyrës Projektuese”!? Ja në çfarë niveli të ulët ka rënë një pjesë e komunitetit të arkitektëve, inxhinierëve dhe profesorëve universitarë, të cilët bëjnë vlerësime të tilla skandaloze!

Është mirë të theksohet edhe fakti se OSHP gjatë marrjes së vendimit të dytë për këtë konkurs projektimi, duke anuluar atë në mënyrë të paligjshme, ka pamundësuar që njëri nga projektet tjera pjesëmarrëse në këtë konkurs, që i respekton parimet profesionale të projektimit të objekteve laboratorike shëndetësore dhe kriteret e përcaktuara me detyrën projektuese, të shpallet fitues.

Në ndërkohë, kanë kaluar më shumë se 8 muaj që nga anulimi i këtij konkursi të projektimit dhe IKSHP nuk e ka rishpallur ende këtë konkurs, duke e prolonguar pa asnjë arsye të qëndrueshme hartimin e një projekti ideor për një objekt arkitektonik të sukessshëm bashkëkohor të laboratorëve të këtij instituti publik shëndetësor.

 

Si të krijohet përmes arkitekturës së objekteve publike, vizioni bashkëkohor se si duhet të funksionojë shoqëria jonë ?

 

Nëse vendimmarrësit dhe komuniteti i arkitektëve kosovarë dhe profesionistëve tjerë të projektimit, pajtohemi me qëllimet bazike të praktikave më të mira ndërkombëtare të organizimit të konkurseve të arkitekturës dhe nëse pajtohemi që ideja e konkurseve të arkitekturës që duhet zbatuar edhe tek ne është prodhimi i kulturës, i kualitetit dhe i dijes, atëherë domosdoshmërisht duhet ndryshuar krejtësisht kahjen e deritanishme të organizimit të përzgjedhjes së projekteve arkitektonike për objektet publike në Kosovë.

Por, paraprakisht, ata që vendosin për vullnetin politik për të shfrytëzuar potencialin që ka arkitektura për të ndërtuar vizionin se si duhet të funksionojë shoqëria jonë, duhet të analizojnë se çfarë kulture, kualiteti dhe çfarë dije është prodhuar deri më tani përmes projektimit arkitektonik të objekteve publike, si dhe bazuar në rezultatet e kësaj analize, të japin përgjigje në këto dilema:

– A duhet qeveria ta ndryshojë qasjen arkitektonike të prezantimit të vetvetes dhe shërbimeve të saj para qytetarëve ?

– A duhet që objektet arkitektonike publike të krijojnë një prezentim se si shoqëria po funksionon apo si duhet të funksionojë?

            Me shembullin e deritanishëm, institucionet publike të Kosovës bashkë me një pjesë të komunitetit të arkitektëve dhe profesionistëve tjerë, përmes “arkitekturës” së shumicës së objekteve publike të ndërtuara deri më tani kanë dëshmuar qasje jokualitative arkitektonike në prezantimin e shërbimeve të qeverisë para qytetarëve. Po ashtu, shumica e objekteve arkitektonike publike të ndërtuara deri më tani kanë dëshmuar se shteti, qeveria dhe shoqëria jonë nuk është duke funksionuar si duhet dhe se duhet të funksionojnë shumë më mirë.

Prandaj, është koha e fundit që edhe përmes arkitekturës të bazuar në dije, t’i paraprihet ndërtimit të një vizioni të ri bashkëkohor për funksionimin më të mirë të shtetit dhe shoqërisë sonë, si dhe emancipimit tonë kulturor. Këto vlera duhet të shprehen përmes organizimit të konkurseve të mirëfillta të arkitekturës, që përmbajnë detyra projektuese dhe programe me objektiva dhe parime udhëheqëse të konceptit arkitektonik, që duhet të jenë të qarta dhe të analizuara mirë, përmes përcaktimit të këshilltarëve profesionalë, komiteteve teknike dhe jurive profesionale, që duhet të dëshmojnë kredibilitet të lartë profesional dhe etik dhe që duhet të jenë të emëruara në mënyrë transparente.

Dhe, mbi të gjitha ndryshimi duhet të ndodh përmes ngritjes së vetëdijes dhe krijimit të një vullneti të vërtetë politik nga qeveria dhe institucionet tjera vendimmarrëse publike, si dhe nga institucionet e dijes, për të kontribuar që të trajtohet më me respekt dhe më me dinjitet arkitektura dhe roli i saj në zhvillimin e shoqërisë, kulturës dhe shtetit bashkëkohor.

Ne foto: Projektet ideore te arkitekteve Ilirjana Bozo, Arianit Bytyci dhe Redman Toska, pjesemarrese ne konkurset e projektimit per Laboratorin e Institutit Kombetar te Shendetesise Publike ne Prishtine, Palestren Sportive ne Viti dhe Xhamine Qendrore ne Prishtine.

No Comments

Leave a Reply