Institucionet arsimore dhe menaxhimi emergjent – ONUP Magazine
fade
5880
post-template-default,single,single-post,postid-5880,single-format-standard,eltd-core-1.0,flow-ver-1.3,,eltd-smooth-page-transitions,ajax,eltd-blog-installed,page-template-blog-standard,eltd-header-standard,eltd-fixed-on-scroll,eltd-default-mobile-header,eltd-sticky-up-mobile-header,eltd-dropdown-default,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2.1,vc_responsive

Institucionet arsimore dhe menaxhimi emergjent

nga Mimoza Dugolli 

Në Kosovë, në rastet kur kemi nevojë për ndihmë, gjithnjë mund të thërrasim shërbimin 24 orësh, numrin 112, i cili është i gatshëm të na përgjigjet ne çdo kohë. Por, shtrohet pyetja cfarë të bëjmë deri sa  të arrij ndihma tek ne, apo cfarë ndodh kur nuk kemi  mundësi të telefonojmë fare?

Herën e fundit kur termeti goditi qytetin e Prishtinës, më kujtohet shumë mirë që, të parët që jam munduar t’i telefonoj kanë qenë fëmijët e mi, në shkollë.  Lidhjet telefonike atë ditë ishin të bllokuara tërësisht dhe kur kam arritur në shkollë, fëmijët tanimë ishin liruar nga mësimi. Pasi që në shtepi nuk kanë guxuar të hyjnë nga frika, i kam gjetur ata duke pritur në rrugë. Mua, ashtu si secilin prind, kjo çasje ndaj situates së krijuar, më iriton edhe sot,  kur e mendoj.

A kanë institucionet shkollore në vendin tonë një plan të përgatitur se si do të reagojnë në raste emergjente? A ofrojnë siguri për fëmijët tanë në rastet e fatkeqësive natyrore ose të fatkeqësive të shkaktuara nga njerëzit? A  është e nevojshme që së pari të pësojmë humbje në njerëz për të na zgjuar nga gjumi neve si shoqëri?

Qeveria e Kosovës, ka themeluar Agjensionin e Menaxhimit Emergjent. Ky Agjension ka obligim për të hartuar sistemin e integruar të Menaxhimit të Emergjencave, për të hartuar planin mbi vlerësimin e rrezikshmërisë në Republikën e Kosovës. Ky Agjension në vete ka edhe Departamentin  e Parandalimit, misioni i të cilit është të zhvillojë programe për zvogëlimin e humbjeve në shtëpi, biznese, shkolla, ndërtesa publike etj.  nga përmbytjet, tërmetet, shtrëngatat, zjarret dhe fatkeqësitë tjera natyrore. Me pastaj, Komuna e Prishtinës poashtu ka hartuar planin për mbrojtjen nga zjarri  por aty ka nënvizuar qartë se nuk i ka të hartuara planet për mbrojtje dhe shpëtim për të  gjitha shkollat fillore dhe të mesme. A nuk do të duhej që këto objekte të  ishin ndër të  parat që do të duhej të kenë  keto plane?

Megjithatë, edhe nëse perpilohen këto plane, edhe po qe se janë këto planet më të mira të shkruara, nuk vlejnë asgjë nëse nuk i ke njerëzit të cilët do të jenë të aftë për t’i aplikuar ato, për të vepruar drejtë në kohën e duhur, për të vepruar si një trup.

Shkollat janë institucionet universale për shpërdarjen e dijës dhe aftësive, prandaj pritshmëria që këto të kenë role model në parandalimin e fatkeqësive, është shumë e lartë. Siguria në shkolla dhe insititucione edukative kërkon një dinamikë duke involvuar punëtorët, nxënësit, prindërit dhe komunitetin.

Nuk mjafton një objekt shkollor të ketë një palë shkallë kundër zjarrit, të ketë dy -tri shenja EXIT, tri- katër aparate për fikjen e zjarrit, për të konstatuar se janë marrë masat për situata emergjente. Nuk është zjarri i vetmi kërcënim që mund të i kanoset një shkolle apo objekti. Thënë të drejtën, edhe shkallët emergjente nëpër objektet në Prishtinë, sa herë i shikoj, lutem që të mos ketë nevojë për tu përdorur ndonjëherë, sepse kur paramendoj turmat e njerëzve në panikë, tek zbresin  dhe mënyrën si jane të përforcuara ato, ose si mund të jenë të rrëshqitshme gjatë dimrit, vështirë se mund te kryejnë funksionin e tyre për të cilin janë  konstruktuar.

Kur jemi te objektet shkollore, praktikat më të mira tregojnë se secila prej tyre duhet të kenë studimet për vlersimin e rrezikut duke konsideruar faktorët specifik relevant, duhet të kenë studjuar në veçanti prioritetet emergjente sipas vendndodhjes së tyre. Nuk mund të përpilohet një plan emergjent i njëjtë për të gjitha shkollat.

Më pastaj, shkollat duhet të zhvillojnë planin për trajnimin e stafit të tyre për reagim ndaj situatave emergjente. Roli i secilit mësimdhënës ose personel duhet të definohet sa më qartë dhe krahas obligimeve të pergatiten edhe trajnimet përkatëse.  Mungesa e ofrimit të informacioneve dhe përgatitjeve adekuate të personelit mbështetës, ka pasoja fatale, fillimisht për personelin e më pastaj edhe për nxënësit apo bashkëpunëtorët e tyre. Një rast të këtillë e përjetuam para ca ditësh, kur mirëmbajtësi i shkollës në Malisheve humbi jetën duke manipuluar me nxemjën e shkollës. Një zëvendsim i bombolave  të gasit, i lidhur në mënyrë të gabueshme, një çast kur përqëndrimi momental i personelit bie dhe një mosnjohuri për rrezikun, sjell  fatkeqësi të këtilla.

Po çfarë ndodh nëse rrezikohen edhe nxënësit që janë në afërsi të personave që nuk kanë aftësimet e nevojshme?  Apo, kush është përgjegjës për përdorimin e pajisjeve të ndryshme, pa i ofruar udhëzimet e duhura personelit që manipulon me to? Kur njerëzit humbin jetën, drejt kujt duhet treguar me gisht, në këto raste?

Objektet shkollore, në secilën klasë dhe secilin koridor, duhet të kenë hartat dhe të gjitha udhëzimet e nevojshme për të treguar rrugët  evakuuse për në vendin e sigurtë. Duke qenë se ne kemi një numër të madh të nxënësve në shkollat tona, në situata emergjente kur te gjithë përnjëherësh, të pakordinuar dhe në panikë të fillojnë të drejtohen nga daljet e objekteve, lëndimet nga njëri tjëtri mund të jenë më të mëdha, se nga vet fatkeqësia natyrore. Prandaj, është kritike trajnimi i mësimdhënësve për të menaxhuar me situata të këtilla.

Hapësirat mbledhëse jashtë objekteve, poashtu është e nevojshme të definohen qartë në planet emergjente. Këto analizohen detalisht, për të drejtuar nxënësit nga rreziku drejt sigurisë, në të kundërten efekti i menaxhimit të situatës emergjente do të ishte zero. Vendosja e detektoreve te tymit dhe pajisjeve alarmuese jane te domosdoshme ne keto objekte.

Dhe ajo që është më kryesorja në këtë proces, simulimi i këtyre situatave, të paktë dy herë në vit, ashtu që të praktikohet mënyra e evakuimit apo reaksionet në situata emergjente, është dicka që nuk mund të krahasohet me asnjë masë tjetër në këtë drejtim. Duke involvuar te gjitha moshat e nxënësvë, të gjitha nivelet e personelit dhe duke simuluar situata (ushtrime praktike per evakuim), mund te arrihet që gjenerata të tëra të vetëdijësohen,  të kuptojnë rolin e tyre dhe të krijojnë kulturën e të vepruarit si grup shoqëror. Poashtu duke monitoruar mënyrat se si realizohet simulimi, mund të identifikohen dobësitë e planifikimeve dhe të përpunohen ato deri në perfeksionim.

Planifikimi për fatkeqësi dhe emergjenca është dicka që cdo institucion duhet ta konsiderojë, pa marr parasysh nivelin dhe kapacitetin sepse përgatitja është çelësi i shpëtimit të jëtërave.

Institucionet tona, duhet të fokusohen më shumë në përmbushjen e misioneve që i kanë përcaktuar vetës, që të mos i mbajnë ato misione si dekorime për të plotësuar portalet e tyre. Trajnimet  duhet fokusuar për aftësimin e të gjitha shtresave të njerëzve. Situatat emergjente janë duke u intesifikuar cdo ditë e më shumë si pasojë e ndryshimeve klimatike prandaj është kritike përgatitja e fëmijëve, punonjësve dhe të gjithë popullit për menaxhimin dhe përballimin e këtyre situatave. Askush s’mund ta ndalojë tokën së lëkunduri, as erën të fryeje, as shiun të bjerë, por me përgatitje dhe me veprim të duhur, këto mund të ndalohen së shëndrruari në fatkeqësi.

Foto hapëse nga Architecture in Kosova FLICKR, nga Fitim Mucaj.

No Comments

Leave a Reply