LE CORBUSIERI SHQIPTARË – ONUP Magazine
fade
4732
post-template-default,single,single-post,postid-4732,single-format-standard,eltd-core-1.0,flow-ver-1.3,eltd-smooth-scroll,eltd-smooth-page-transitions,ajax,eltd-blog-installed,page-template-blog-standard,eltd-header-standard,eltd-fixed-on-scroll,eltd-default-mobile-header,eltd-sticky-up-mobile-header,eltd-dropdown-default

LE CORBUSIERI SHQIPTARË

nga Ernest Ferizi

Në pamundësinë që të kontribuonim në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndryshimet urbanistike të Prishtinës, lëviznim gotat e ujit dhe të makiatos me profesorin, duke i trajtuar ato si objekte ndërsa tavolinën afër të cilës ishim ulur e trajtonim si qytetin tonë të dashur të zhytur në kaos.

Dikur skulptori i njohur italian Mikeloangjelo ishte mëshiruar aq shumë me skulpturën e tij sa që kërkonte nga ajo me çdo kusht që të fliste. Dhe jam thellë i bindur që skulptura i kishte folur Mikeloangjelos. Kjo me siguri do të mbetet përherë enigmë mes veprës dhe skulptorit.

Enigmë do të mbetet edhe komunikimi i atyre pak objekte të mirëfillta arkitekturore të qytetit tim të Prishtinës që kishin kaluar katrahurat e periudhave otomane, komuniste dhe të pasluftës, me njeriun që fatkeqësisht më nuk ndodhet në mesin tonë , profesorin e ndërruar Bashkim Fehmiun.

Qytetin tim askush nuk e kishte njohur më mirë se profesori, prandaj pas enigmës do të mbetet heshtja…. për një kohë të gjatë.

Lokali Rikoh , që ndodhet afër fakultetit të Arkitekturës ishte vendi ku mund ta takoje shpesh profesorin.

Në grumbullin e studentëve të rinj të arkitekturës , që mblidhen në dyqan për ti shtypur projektet e tyre arkitekturore gjithmonë ishte i pranishëm një njeri i moshuar që fotokopjonte me zell në mesin e adoleshentëve ndonjë manuskript apo skicë që kishte vlerë më të madhe se shumica e ligjeve që vazhdojnë të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

Ky njeri ishte mu realizimi i ëndrrës së këtyre të rinjve për të qenë 2 arkitekt i suksesshëm. Ata e kishin pranë tyre këtë pasuri, duke mos ditur se kush ishte ky person , në një lokal të rëndomtë për fotokopjime.

Nuk i fajësojë këta të rinj , duke e pasur parasysh që ata jetojnë në kohën ku vlerat e mirëfillta ende nuk çmohen, e lëre më ti flasësh atyre për arkitektët që kanë ndryshuar botëkuptimin mbi arkitekturën botërore siç ishin: Le Corbusier, Mies van der Rohe, të cilët Profa i kishte njohur personalisht dhe të cilëve sipas fjalëve të tij nuk u ishte e panjohur arkitektura shqiptare.

Dhe nëse rastësisht hasim në ndonjë element shqiptarë në objektet e këtyre emrave të mëdhenj atëherë kjo është bërë falë profesorit Bashkim Fehmiu. Edhe emra të mëdhenj dhe kuptimplotë për dallim të emrave të asaj kohe që zakonisht ishin arab ose turk i kishte vënë fëmijëve të tij babai i profesorit Ibrahim Fehmiu .

Vajzën më të madhe e pagëzoi me emrin BESA-besnikëria e shqiptarit, pastaj vajzën tjetër e pagëzoi me emrin SHPRESA -shpresë për ditë më të mira të popullit shqiptar.

BASHKIM,është emri i djalit të parë ose bashkimi i popullit shqiptar. ARSIM – arsimimi i popullit shqiptar. FATMIR -fat të mirë popullit shqiptar. BEKIM -të bekohet populli shqiptar. AFËRDITA -dita e afërt e lirisë për popullin shqiptar. Dhe LULJETA -të lulëzoj jeta e popullit shqiptar.

Këto detaje ndër të tjera na kishte dhënë disa ditë më parë profesori mua dhe vëllait tim Denisit gjithashtu arkitekt në një kafe të boshatisur ku krahas muzikës tallava që lëshohej aty, zhvillonim biseda serioze dhe thurnim plane për të ardhmen urbanistike të qytetit të Prishtinës.

Në pamundësinë që të kontribuonim në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndryshimet urbanistike të Prishtinës , lëviznim gotat e ujit dhe të makiatos me profesorin, duke i trajtuar ato si objekte ndërsa tavolinën afër të cilës ishim ulur e trajtonim si qytetin tonë të dashur të zhytur në kaos. Pas pak gotat mbi tavolinë i pozicionuam në vend të duhur dhe tavolina tani kishte kuptimin e saj dhe sikur profesor të ishte gjallë siç na premtove, gotat e pozicionuara në vendin 3 e duhur do ti shëndronim në objekte dhe tavolinën në një qytet të mirëfilltë urban.

Tash Prof, pa ty Prishtina është bërë si objekt pa zotë të shtëpisë. I lehtë të qoftë dheu nën të cilin fle Le Corbusieri ynë shqiptarë.

No Comments

Leave a Reply