Hapësirat e Përbashkëta – ONUP Magazine
fade
3382
post-template-default,single,single-post,postid-3382,single-format-standard,eltd-core-1.0,flow-ver-1.3,,eltd-smooth-page-transitions,ajax,eltd-blog-installed,page-template-blog-standard,eltd-header-standard,eltd-fixed-on-scroll,eltd-default-mobile-header,eltd-sticky-up-mobile-header,eltd-dropdown-default,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2.1,vc_responsive

Hapësirat e Përbashkëta

nga Jeta Bejtullahu

Hapësira…! Term i padefinuar për një formë të pacaktuar, orientim për diçka reale të krijuar nga idetë abstrakte, paradoks i parëndësishëm por rëndësi e pafundmekur këto hapësira bëhen vende (fole) të dashurive të mëdha, romancave të përfolura ndër shekuj, pikënisje e ëndërrave për shumëkënd, vende ku njerëzit në një formë a tjetër realizojnë veten duke u bërë kështu pjesë e historisë së formësimit të hapësirave të tyre, të hapësirave të përbashkëta dhe si të tilla, hapësirat e qytetit në fakt janë rrëfimi ynë i madh duke qenë se asnjëherë nuk ka qenë e mundur të shpalosen të gjitha ëndrrat, përjetimet, dashuritë e historitë e tyre në mënyrë që ta kuptojmë logjikën, frymën komplekse dhe idenë kuptimplotë të tyre si platformë hapësinore që mundëson gjithë akomodimin e proceseve jetësore.Pra, hapësirat e përbashkëta luajnë rol mjaft të rëndësishëm në jetën e përditshme të njeriut duke qenëplatforma kryesore apo sfondi i bashkëveprimit social dhe i aktiviteteve joformale.

Pavarësisht se të gjitha këto akomodojnë kërkesën, ëndrrën dhe shpresën e njeriut për një jetë të mirë është interesante se shumë nga qytetet në botë kanë nga një nofkë të posaçme që i bën ato pikë referente të rëndësishme në aspektin global. Disa qytete njihen më shumë në sensin ekonomik, si: Londra, Tokio apo Nju-Jorku, disa në atë të edukimit si Viena apo Leuveni, disa si qytete të ujit, si: Venecia, Amsterdami apo Brudge, e ndonjë tjetër si qytet i dritave, dashurisë, artit dhe modës, kush tjetër pos Parisit.

Është pikërisht loja e formave arkitektonike ajo që nxjerr gjithmonë në pah potencialet që ofron një hapësirë e përbashkët)në qytet, duke vënë theks në relacionet midis funksionit, rregullit dhe gjuhës materiale të asaj hapësire në përgjithësi, duke i vënë theks hapësirës si hapësirë ludic.1

Andaj, jo rastësisht thuhet se loja është një aspekt shumë i rëndësishëm i eksperiencës së njerëzve në shoqëritë dhe hapësirat urbane duke theksuar në veçanti karakterin e eksperiencave urbane, mënyrën se si njerëzit përfshihen përbrenda një sfondi të caktuar, ndjesia e tyre përballë këtyre eksperiencave shpesh spontane, të paparashikueshme, joracionale apo edhe të rrezikshme ndonjëherë. Pra, është shumë e rëndësishme që këto hapësira të dizajnohen dhe të formësohen përmes një procesi të hapur e gjithëpërfshirës, një rrugëtim ky që do të na qartësonte shumëllojshmërinë e kërkesave dhe dëshirave të komunitetit, nevojat dhe veprimet për aktivitetet individuale dhe kolektive, tensionet midis tjetërsimit dhe pjesëmarrjes, thënë shkurt vizionet e tyre për hapësirat e përbashkëta të jetës së përditshme, duke na mundësuar neve si arkitektë, dizajnerë dhe planerë urbanë të krijojmë një kornizë më reale për formësimin e këtyre hapësirave në të ardhmen, vizavi ideve dhe trendëve profesionale lokale – globale.

Për të qenë pjesë e barabartë dhe e vlefshme në rrjetin global të komunikimit qytetërues, çfarë mund të ofrojë hapësira e qytetit të Prishtinës- si kryeqyteti i shtetit më të ri në botë. Apo, thënë ndryshe, çfarë nofke mund t’i vëmë asaj në mënyrë që të mund të shpalosim fare lehtë dhe qartë idenë e asaj se çfarë është vendi ynë si hapësirë dhe se çfarë mund t’i ofrojë ajo dikujt që nuk e ka parë, shijuar apo përjetuar atë..

Prandaj, vendi im, hapësira ime… duke shpresuar në thënien se qyteti çdo 10 vite absorbon njerëzit (pra gjeneratat e reja), le të shpresojmë që tani e tutje do të fillojnë të gjithë nga pak të ndiejnë pjesë të tyre apo të ndihen pjesë e jotja dhe të të duan për krejt këtë çfarë je sot. Të të kuptojnë se pse ke ardhur në gjendje të tillë, të të ndihmojnë të dalësh nga kjo errësirë për t’ia mundësuar vetës një dritë të re dhe jetë të re përbrenda teje. Vetëm me më shumë dashuri vendi ynë do ta rikthente veten dhe gëzimin e saj e të qenit e të gjithëve si vend i dashurisë, edukimit, festës, protestës e pavarësisë.



1 Ludic (rrjedh nga gjuha latine) – Lojë

Foto hapëse nga Gent Gjikolli