Hapësirat e Përbashkëta – ONUP Magazine
fade
3271
post-template-default,single,single-post,postid-3271,single-format-standard,eltd-core-1.0,flow-ver-1.3,eltd-smooth-scroll,eltd-smooth-page-transitions,ajax,eltd-blog-installed,page-template-blog-standard,eltd-header-standard,eltd-fixed-on-scroll,eltd-default-mobile-header,eltd-sticky-up-mobile-header,eltd-dropdown-default

Hapësirat e Përbashkëta

nga Fjollë Caka

Varësisht nga konteksti, termi ‘common ground’ në arkitekturë ka kuptim të dyfishtë si ide e përbashkët dhe si vend apo hapësirë publike. Në kontekstin e parë paraqet një konsensus të mendimeve, njohurive, kuptimeve, qëllimeve, ndikimeve dhe eksperiencave të ngjashme1. Kjo marrëveshje e përbashkët arrihet me anë të një komunikimi dinamik dhe kompleks që përfshin akterë të ndryshëm në të cilat arkitekti gjendet në qendër. Përveç aspektit shoqëror dhe psikologjik, arkitektura kontribuon në përkufizimin e tokës së përbashkët të qytetit, në formësimin dhe domenin politik, social dhe publik të tij. Në këtë domen hyjnë hapësirat e përbashkëta publike qofshin ato hapësira në mes të banesave, sheshe, bulevarde, rrugë apo parqe, të cilat përdoren nga të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

Arkitektura konsiderohet i vetmi art publik të cilit nuk mund ti shmangemi, prandaj ajo përmban ‘shpirt’ të veçantë2. Meqë të gjithë jemi të ndryshëm e si rrjedhojë kemi dëshira të ndryshme, arkitektura duhet të jetë e përshtatshme dhe duhet të përmbushë shije e kërkesa të shumta shoqërore. Arkitektura ka natyrë bashkëpunuese dhe është proces kolektiv me potencial të jashtëzakonshëm me ç`rast duhet të merren parasysh kontekstet historike, sociale dhe psikologjike prej të cilave rrjedhin idetë. Kohëve të fundit prioritetet tona përqendrohen në individualen, privilegjin, mbresëlënësen dhe të veçantën, të cilat kanë mbuluar normalen, socialen, të zakonshmen dhe të përbashkëtën.3

Ndërtesat dhe hapësirat ndërmjet tyre, së bashku me elementet tjera urbane dhe të skenës së rrugës kontribuojnë në dramën estetike-vizuele të një tërësie më të madhe, të cilën asnjëra nuk mund ta ofrojë veç e veç, e cila quhet ‘arti i bashkëveprimit’.4 Këto formojnë pejsazhin urban i cili si një skulpturë enorme, vazhdimisht modelohet nga njeriu për njeriun. Ky medium është rezultat i veprimeve të shoqërisë dhe praktikisht përjetohet si aktivitet jetësor, prandaj edhe perceptimi i tij është dukshëm i lidhur me pozitën e historinë e tij, si dhe ka përmbajtje semantike ku përfshihen ndjenjat e eksperiencat e përjetuara të njerëzve që e shfrytëzojnë atë. Meqë pikëpamjet dhe eksperiencat individuale janë të ndryshme, është e vështirë të gjendet një tokë e përbashkët dhe e barabartë për të gjithë. Si pasojë, sot në botë kemi diversitet dhe pamje dinamike në ambientet urbane, të pranueshme pothuajse për të gjithë, me ç`rast e mira dhe e keqja janë të balancuara. Megjithatë të gjitha duhet të kenë kuptim dhe të jenë në shërbim të shoqërisë, e jo vetëm të jenë diçka e re dhe e ndryshme.

Hapësirat e përbashkëta duhet të jenë të planifikuara dhe dizajnuara mirë që të jenë të pëlqyera dhe të shfrytëzueshme nga njerëzit kështu duke mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sociale në to në mënyrë të barabartë nga të gjithë.5 Qytetet e suksesshme janë tolerantë dhe përqafojnë shpirtin e shumëllojshmërisë, ndryshimeve dhe risive. Në to dukshëm vërehen investimet kapitale në objekte dhe hapësira publike me ç`rast tregohet edhe fuqia dhe zhvillimi ekonomik e politik i tyre. Edhe pse kanë identitet të veçantë të formësuar nga kualitetet unike si historia, kultura e arkitektura dhe të shtresuar nëpër kohë në ndërtesa, secili prej tyre ofron një unifikim dhe përjetim pozitiv të hapësirave publike në shfrytëzim të qytetarëve. Nga këto identitete, shpesh me një fjalë mund të asocosh Parisin me diversitet të shumtë, Londrën konservative, Romën antike, Berlinin me pushtet e zhvillim të shpejtë dhe eksperimental, Vienën me atmosferë te ngrohtë, Venedikun dhe Amsterdamin me kanale, Bryzhën gotike, Monakon luksoz, Barcelonën ekzotike etj. Megjithatë, shpesh edhe në këto vende shkaktohen konfuzione dhe në disa lagje të tyre ndonjëherë mund të harrosh se në cilin qytet je; kjo si pasojë e ndikimit të kulturave, arkitekturës, apo edhe shtrirjes së tij.

Fatkeqësisht, Prishtina shfaqet si një simbol i krizës kaosi urban i së cilit paraqet gjendjen e saj si një qytet tranzicional në aspektin historik, politik, kulturor dhe ekonomik. Ajo duke u munduar të rimëkëmbet sa më shpejtë nga periudha e pasluftës, tenton që në çfarëdo mënyre ti qaset ‘globalizimit’ kështu dalëngadalë duke humbur gjurmët e gjenezës dhe origjinalitetit të saj. Sot njëjtë është edhe gjendja e gjithë arkitekturës në Kosovës, e cila e hapur ndaj arkitekturës evropiane e amerikane, globalizimit dhe zhvillimit të tekonoligjisë nuk ka formësuar një stil të vetin të përgjithshëm.6 Ndërtimet e fundit ilegale dhe të pamenduara mirë kanë ngritur probleme sociale, ekologjike, të sigurisë dhe infrastrukturës, shpesh duke mos plotësuar as kushtet e domosdoshme të njerëzve për izolim, ndriçim dhe privatësi. Kjo ka ndikuar edhe në zvogëlimin e hapësirave të përbashkëta publike apo degradimin e tyre, si dhe humbjen e sipërfaqeve të gjelbra në qytet.

Megjithatë Kosova nëpër kohë ka grumbulluar histori, kulturë e tradita të ndryshme të cilat u reflektuan në zhvillimin dhe modifikimin e artit e arkitekturës. Si rrjedhojë ajo ka potencial të madh natyror dhe trashëgimi kulturore të luajtshme, të paluajtshme dhe shpirtërore mjaft të çmuar. Paraqitja e mu këtij potenciali dhe trashëgimie është qëllimi kryesor i kuratorit Përparim Rama, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Bienalen e 13të të Arkitekturës në Venedik. Ai synon të gjenerojë dizajne kreative dhe inovative në të ardhmen me anë të reagimeve emocionale të shoqërisë ndaj arkitekturës së sotme në Kosovë. 7 Koncepti i tij është filigrani, i cili si zeje tradicionale dhe antike që ka mbijetuar deri në ditët e sotme kërkon përkushtim dhe dashuri për tu realizuar. Në anën tjetër, fijet nga argjendi në pavijon simbolizojnë rrugët dhe ndërtesat e Kosovës.

 ‘Common ground’, tema e sivjetme në Bienale të Venedikut është përzgjedhur nga kuratori i saj David Chipperfield, i cili rishpall kulturën e arkitekturës me natyrë filozofike dhe praktike të krijuar nga ide të ndryshme të bashkuara në një histori, ambicie, ideal të përbashkët. Ai potencon rëndësinë e arkitekturës ndaj arkitektëve, duke dashur të largohet nga përqendrimi i arkitektëve si individë dhe ndërtesave individuale. Në Bienale arkitektët duhet të përfshijnë të dy kontekstet e ‘common ground’, me ç`rast ata duhet të përfshijnë edhe akterë të tjerë me të cilët duhet të gjejnë se çfarë kanë të përbashkët ndërmjet vete intelektualisht në aspekt të inspirimit, shqetësimeve e problemeve kështu duke shkrirë idetë personale në ato të përgjithshme.8 Me këtë rast duhet të fitohet një ‘pikëpamje e përbashkët mbi hapësirat e publike të vendit të tyre’ me të cilën ata do të prezantohen në ekspozitë. Ndërsa në anën tjetër ata duhet të përgjigjen në atë se çfarë kanë kontribuar në arkitekturë dhe si i shërben ajo shoqërisë.


1. http://www.answers.com/topic/common-ground#ixzz29DbaZhmx 

2. Jack Nassar, 1998, f.28

3. http://www.architectural-review.com/reviews/venice-by-the-book/8636147.article

4. Gordon Cullen, 1961, f.10

5. Reuben M. Rainey – Architecture and Landscape: Three Modes of Relationship; Places: A quarterly journal of environmental design, Volume4, Number 4, f.6

6. Archis interventions in Prishtina, faqe.81

7. http://www.kosovoinvenice.org/

No Comments

Leave a Reply